Largimi i Alijit nga skuadra që e riktheu në futboll, zbardhet e vërteta

Naser Aliji nuk do të luajë më në kampionatin rumun dhe ky lajm është bërë i ditur ditë më parë, ku u raportua se klubi i Dinamos së Bukureshtit, nuk ia ka rinovuar kontratën për shkak se nuk është më në planet e skuadrës. Trajneri Mircea Redniç që edhe e afroi Alijin te Steaua u shkarkuar dhe së bashku me të u larguan edhe shumë futbollistë.

Mesa duket, gjërat kanë ndryshuar dhe mediat në Rumani kanë zbuluar se e vërteta me Alijin qëndron ndryshe. Klubi ka kërkuar që ta ketë edhe për këtë sezon por ka qenë vetë Aliji ai që ka shprehur dëshirën për t’u larguar. I afruar në nëntor pas një periudhe të vështirë për shkak se babai i tij ndërroi jetë, Aliji arriti të kthehej në titullar dhe protagonist te Steaua.

Mbrojtësi i Kombëtares ka kërkuar nga klubi të largohet dhe pritet që të firmosë në kampionatin zviceran. Ai do që të jetë pranë familjes së tij dhe pikërisht kjo, është arsyeja e cila e ka shtyrë Alijin që të largohet nga Steaua, skuadër që e riktheu në fushën e blertë pas një pauze të konsiderueshme. /Erjon Allaraj-VipSport.al/