Lampard një hap larg ribashkimit me Çelsin, klubi përgatit kontratën për legjendën

Frenk Lampard duket gjithnjë e më pranë ribashkimit me klubin e tij të zemrës, Çelsin. Por, këtë herë jo si futbollist por në rolin e trajnerit. Ish-mesfushori e ka nisur aventurën e trajningut në sezonin e kaluar me Derbin në Championship, teksa tashmë pas largimit të Mauricio Sarri nga londinezët, klubi ka zgjedhur legjendën për t’i drejtuar në sezonin e ardhshëm.

Në fakt, rreth Lampard kishte shumë dyshime nga drejtuesit e Çelsit për shkak të eksperiencës së pakët, megjithatë në fund klubi ka vendosur t’i besojë 41-vjeçarit. Siç raportojnë edhe mediat angleze, firma është thjesht çështje kohe, ndërsa palët kanë arritur marrëveshjen.

Lampard do të përfitojë 5.5 milionë sterlina në sezon, ndërsa nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve atëherë bashkëpunimin mund të zgjasë edhe më shumë se një vit. Në këtë mënyrë, Lampard përgatitet të marrë një detyrë të rëndësishme, teksa përgjegjësia rritet edhe më shumë kur bëhet fjalë për klubin ku shkëlqeu si lojtar.