Kukësi zyrtarizon një tjetër largim, ikën edhe lojtari më i mirë i skuadrës

Klubi i Kukësit vazhdon të humbasë pjesë të tij dhe me sa duket nuk po arrin të gjejë akordin për rinovimin e marrëveshjeve me futbollistë që kanë mbajtur peshën më të madhe në skuadër në këtë sezon. Verilindorët sot zyrtarizuan edhe largimin e mbrojtësit Uilliam Kordeiro, duke bërë të qartë se mes palëve nuk ka akord për kthimin e tij te kjo skuadër.

Kordeiro ka qenë padyshim zbulimi i këtij sezoni dhe lojtari më i mirë për Kukësin. Braziliani i afruar si mbrojtës i djathtë, shkëlqeu fillimisht si mesfushor në të majtë e më pas edhe si mesfushor ofensiv në të djathtën, duke treguar aftësi të jashtëzakonshme në fazën ofensive e duke u bërë vendimtar për sigurimin e vendit të dytë e Kupës së Shqipërisë.

Ai bëhet titullari i tretë që largohet nga radhët e Kukësit pas Rexhinaldos e Dzarias.

Njoftim i klubit!

F.K. Kukësi njofton përfundimin e bashkëpunimit me William Cordeiro.

Mbrojtësi, i ardhur te skuadra jonë gjatë merkatos së verës, arriti të shënonte 5 gola në 41 ndeshje zyrtare në të gjitha kompeticionet.

Klubi falënderon brazilianin për kontributin e dhënë në skuadrën tonë dhe i urojmë suksese në karrierë! /vipsport.al/

more recommended stories