Kukësi zyrtarizon dy afrimet e para, një portier dhe mesfushori i Flamurtarit

Tashmë që sezoni përfundoi skuadrat e Kategorisë Superiore kanë nisur nga puna për të ndërtuar ekipin e vitit të ardhshëm. Kukësi ka bërë zyrtare dy afrimet e para. Verilindorët, nëpërmjet faqes zyrtare në Facebook kanë njoftuar se kanë arritur marrëveshjen me portierin Ilir Avdyli dhe mesfushorin Emiliano Musta.

Portieri Avdyli ishte pjesë e Kamzës në sezonin që lamë pas, mirëpo pas dënimit të ekipit, gardiani kishte mbetur pa skuadër. Tashmë, si pjesë e Kukësit, Avdyli duhet t’i bëjë llogaritë me konkurrencën e portierit Stivi Frashëri. Ndërkohë, mesfushori Emiliano Musta ishte pjesë e Flamurtarit, duke spikatur në radhët e vlonjateve.

Megjithatë, pas problemeve financiare te kuqezinjtë vendosi të provojë një aventurë të re. Në këtë formë, dy lojtarët e afruar do të japin kontributin e tyre në Kupat e Europës me fanellën e Kukësit, ndërsa në kampionat do të ndihmojnë verilindorët për të rrëzuar nga froni Partizani.

/Egi Çabeli-VipSport.al/