Kukësi me përforcime para Europës, bashkohet me skuadrën edhe Rama

Prej disa ditësh, Kukësi qëndron i grumbulluar në Elbasan dhe është në pritje për të nisur fazën përgatitore në Ohër, në prag të dy ndeshjeve të turit të parë eliminator ndaj Debrecenit. Verilindorët kanë qenë aktivë në këtë merkato duke afruar disa futbollistë, ndërkohë që ka pasur edhe largime të rëndësishme si Kordeiro apo Rexhinaldo e Dzaria.

Sakaq, Gjoka mund të buzëqeshë duke qenë se një nga futbollistët më në formë në fundin e kampionatit, Valdet Rama është bashkuar me ekipin verilindor në Elbasan. Mesfushori i cili me fanellën e Kukësit ka arritur të bëjë paraqitje mjaft të mira duke u kthyer në protagonist, shihet si një nga më të rëndësishmit për ndeshjen në Europë.

Vetë drejtuesit e Kukësit shpreheshin se Rama ka kontratë me Kukësin për Europën ndërkohë që do të diskutohet në të ardhmen edhe për sezonin tjetër, ku natyrisht dëshira e Kukësit, është që të mbajë Ramën në skuadër. /Erjon Allaraj-VipSport.al/