Kukësi kujtohet të festojë për Kupën e Shqipërisë, afron ekipin me tifozët verilindorë

Kukësi arriti të mundte Tiranën me rezultatin 2-1 në Kupën e Shqipërisë dhe megjithëse kanë kaluar 2 javë nga ajo ndeshje, duket se verilindorët e kanë kujtimin ende të freskët. Klubi kuksian ka vendosur që të organizojë një festë në qytetin e Kukësit, aty ku do të ketë këngëtarë, humoristë dhe natyrisht, të pranishëm do të jenë edhe futbollistët.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kukësi ka njoftuar se festa do të bëhet në datën 21 qershor duke i ftuar të gjithë të interesuarit që të bashkohen në festën e tyre. Shumë prej lojtarëve të Kukësit, do të shkojnë në Kukës për herë të parë pasi ndeshjet e tyre i kanë luajtur sa në Elbasan, Shkodër e Kamëz.

Njoftimi i klubit:

“Kjo do të jetë festa e madhe për të gjithë tifozët dhe banorët e Kukësit. Pse jo, edhe të gjithë kuksianëve që jetojnë jashtë Shqipërisë si dhe tifozëve nga Zhuri i Prizrenit dhe e gjithë Kosova.

Ky spektakël i madh sportiv e argëtues, që po kthehet në traditë në qytetin tonë, pas fitimit të çdo trofeu, këtë herë do të jetë edhe më i larmishëm, ku do të marrin pjesë artistët më me zë të estradës nga Kosova e Shqipëria.

Befasia do të jetë performanca e “Fisnikëve”, grupi më i pëlqyer i trevave shqiptare, të cilët do të këndojnë drejtpërdrejt për rreth 2 orë.

Nga Kosova do të vijë këngëtarja Fitore Krasniqi, humoristi Sevdai Radogoshi (Qumili) si dhe moderatori i njohur sportiv Milaim Krasniqi.

Disa nga vajzat e vendeve të ndryshme të botës, të cilat kanë fituar kurorën e Miss-it në shtetet respektive, ku momentalisht po marrin pjesë në projektin e “MISS WORLD” në Prishtinë, do të jenë të pranishme në këtë aktivitet.

Një vend të veçantë, do të kenë artistë nga Tirana, por edhe ata vendas. Në kulmin e këtij spektakli, do të jenë vetë futbollistët dhe stafi i Futboll Klub Kukësit, të cilët do të ngrenë Kupën e Shqipërisë.

Ftojmë të gjitha kompanitë kuksiane, që me produktet e tyre, qoftë falas apo me çmime simbolike, të promovojmë produktet vendase. Aktiviteti do të fillojë me datë 21 Qershor, në orën 18:00, e do të përfundojë rreth orës 22:00. Ju ftojmë të gjithëve, kjo është festë e përbashkët”, shkruhej në njoftimin e klubit. /VipSport.al/