Kukësi anulon festën e Kupës: Pasi po na bllokojnë stadiumin, nuk po na lejojnë as të ngremë trofeun

Kukësi njoftoi pak ditë më parë se do të organizohet një festë në qytetin verilindor për të ngritur lart Kupën e Shqipërisë, trofe të cilin klubi e fitoi pak javë më parë ndaj Tiranës. Mesa duket, kjo festë është anuluar për shkak se Bashkia e Kukësit ka vendosur të mos japë leje për festën në qytet por vetëm në stadium, gjë e cila nuk është pranuar nga klubi verilindor.

“Festa, ‘Kupa rikthehet në Kukës’, mund të mos bëhet për shkak se bashkia nuk ka dhënë leje për zhvillimin e saj në sheshin “Skënderbej”, apo dhe në shëtitoren e qytetit, duke e spostuar festën në stadium , ku ne mendojmë se nuk janë kushtet e duhura dhe se qytetarët privohen.

Klubi kishte kërkuar leje në bashki dhe ka bërë gjithë njoftimet në institucionet që kanë përgjegjësi për të siguruar këtë aktivitet , por përgjigja e bashkisë ka qenë absurde duke u hequr mundësinë e festimit të një trofeu në Kukës, tifozerisë dhe banorëve të Kukësit.

Në festë ishin ftuar këngëtarë e artistë të njohur nga Kosova, Kukësi e Tirana, duke mos i dhënë asnjë nuancë politike kësaj feste sportive.

Ky refuzim për të festuar është në vazhdën e pengesave që ka sjellë institucioni i bashkisë për FK Kukësin ,duke nisur me mos shlyerjen e detyrimeve që janë miratuar më vendim këshilli, dhe më e fundit pengesat që po ngre bashkia për të mosndërtuar stadiumin e ri, stadium që do bëhet do a po s’do bashkia.

FK Kukësi do ecë përpara për kënaqësinë e kuksianëve, dhe stadiumi do jetë ndër më të mirët në vend”, shkruhej në njoftimin e klubit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/