Konte zyrtarizon ndarjen me Ikardin, Uanda Nara provokon klubin zikaltër

Fakti që Mauro Ikardi nuk është pjesë e planeve të teknikut të ri të Interit, Antonio Konte, kjo tashmë dihej. Tekniku, gjatë karrierës si trajner, e ka provuar shpeshherë se kërkon lojtarë të cilët i binden urdhrave të gjeneralit, ndërsa nga ana tjetër, argjentinasi me situatën e fundit tregoi se është një ushtar i pabindur. Dhe në këtë formë, sipas ‘FcInterNews’, Konte ka telefonuar, agjenten dhe njëkohësisht gruan e Ikardit për t’i treguar se sulmuesi nuk është në planet e tij dhe nuk ka ndërmend ta thërrasë në grumbullimin e skuadrës në Lugano.

Një veprim, për të theksuar edhe njëherë se Ikardi duhet të gjejë sa më shpejt një sistemim të ri, pasi klubi zikaltër nuk ka më vend për ish-kapitenin. Ndërkohë, nga ana tjetër, Uanda Nara e ka shprehur shpeshherë se dëshira e saj si agjente por edhe e lojtarit është të qëndrojnë te Interi. Në këtë mënyrë, Uanda duke parë situatën e krijuar, agjentja ka provokuar edhe një herë zikaltërit.

Nara i ka kërkuar Marotës, ta lejojnë futbollistin të largohet me kosto zero. Një kërkesë, e cila sigurisht nuk është mirëpritur nga klubi dhe drejtori sportiv Bepe Marota. Kështu, lufta e ftohtë mes dy palëve pritet të vazhdojë përgjatë verës, deri në momentin kur Ikardi të gjejë klubin e ri.

/Egi Çabeli-VipSport.al/