Konte kërkon ‘luftëtarin’ e tij në shkëmbin të ‘ninxhës’, Inter dhe Barcelona ideojnë shkëmbimin

Ka lindur një ide e fundit ne merkato për Interin e Antonio Kontes. Më saktë, është një preferencë ekskluzive e teknikut të ri, i cili ka nisur vrullshëm për të ndryshuar zikaltërit dhe për të aplikuar idenë e tij të lojës. Për këtë arsye, Antonio Konte është vënë në kërkim të lojtarëve të cilët i përshtaten stilit të tij. Ndërkohë, një nga futbollistët që ka shkëlqyer në kohën e italianit te Juventusi është Arturo Vidal.

Kileni, këtë sezon u transferua te Barcelona, mirëpo roli i titullarit në formacionin e Valverdes ka qenë me pikatore. Ndërkaq, mesfushori ka pasur interesimin e Interit edhe më parë, mirëpo palët asnjëherë nuk arritën të konkretizonin. Megjithatë, këtë herë është ndryshe pasi në mes është Konte, i cili mund të rezultojë karta fituese për të sjellë ish-juventinin në ‘San Siro’.

Ndërkohë, zikaltërit kanë menduar dhe janë të gatshëm të përfshijnë në këtë operacion edhe mesfushorin Raxha Naningolan. ‘Ninxha’, mund t’i ofrohet Barcelonës, ndërsa të dyja palët do dilnin të kënaqura, pasi dy mesfushorët ngjasojnë me njëri-tjetrin. Por, në fund duhet të merret në konsideratë edhe vetë dëshira e futbollistëve.

/Egi Çabeli-VipSport.al/