Konfirmohet lajmi i VipSport / Tirana zyrtarizon Kale, pritet edhe Torasa

Ashtu siç kishte paralajmëruar disa ditë më parë “Vip Sport”, ka ardhur edhe zyrtarizimi i një prej blerjeve të bujshme të Tiranës në këtë sezon. Elton Kale, mesfushori brazilian i cili në vitet e kaluara ka luajtur me Kukësin e Flamurtarin, tani do të jetë pjesë e bardhebluve.

Klubi zyrtarizoi gjithçka me një postim në rrjetet sociale ku theksoi se lojtari do të jetë një nga pjesët e rëndësishme të barhdebluve që po rindërtohen thuajse nga e para këtë verë.

“Elton Kale është zyrtarisht bardheblu. Mesfushori brazilian me tipare sulmuese ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare me Tiranën.

Ish-futbollisti i Flamurtarit do të jetë pjesë e rëndësishme e skuadrës për dy sezonet e ardhshme. Kualitet dhe eksperiencë në kampionatin shqiptar, Kale është i Tiranës.

Në muajin korrik braziliani do t’i bashkohet ekipit në ditët e para përgatitore”, shkruhej në njoftimin e klubit i cili shumë shpejt do të zyrtarizojë edhe firmën me Agustin Torasa, pasi ka arritur akordin me lojtarin argjentinas. /vipsport.al/