Konfirmohet lajmi i VipSport, ish-sulmuesi i Skënderbeut firmos te skuadra që eliminoi Kukësin

Liridon Latifi është futbollisti më i ri Sherif Tiraspolit. Ish-sulmuesi i Skënderbeut prej datës 1 korrik do të jetë edhe zyrtarisht një lojtar i kampionëve të Moldavisë, teksa konfirmohet lajmi i para pak ditëve nga VipSport. Ka qenë vetë klubi moldav, që nëpërmjet faqes së tyre zyrtare kanë njoftuar për transferimin e shqiptarit. Kujtojmë se dy sezone më parë, pikërisht skuadra e Sherif Tiraspolit eliminoi Kukësin nga kompeticionet europiane.

Latifi në dy sezonet e fundit ka qenë pjesë e skuadrës së Pushkash Akademi, në kampionatin hungarez.  Megjithatë, aventura e sulmuesit me ekipin e Pushkash nuk shkoi sipas parashikimeve, teksa futbollisti nuk u ambientua me skuadrën e re. Minutat në dispozicionin e Latifit ishin të pakta, ndërsa shënoi vetëm një gol.

Ishin këto arsyet kryesore që e shtynë 25-vjeçarin të provonte një aventurë të re në karrierë. Te skuadra kampione e Moldavisë, Latifi kërkon të gjejë më shumë hapësirë për të shfaqur edhe njëherë potencialin e treguar me fanellën e Skënderbeut, jo vetëm në Kategorinë Superiore, por edhe në ndeshjet e Kupave të Europës.

/Egi Çabeli-VipSport.al/