Kastriotit nisin t’i largohen futbollistët, golashënuesi i bashkohet Kukësit

Kastrioti luftoi deri në javën e fundit për një vend për në Kategorinë Superiore, por nuk arriti të fitonte luftën ndaj Tiranës duke rënë nga kategoria. Me rënien në të Parën, pritet që në kampin krutan të ketë jo pak lëvizje dhe shumë futbollistë mund të largohen për të kërkuar një aventurë të re ashtu siç iku edhe trajneri Bledar Devolli.

Sot është zyrtarizuar një largim nga Kastrioti duke qenë se sulmuesit brazilian Roxher Zhunior i ka përfunduar huazimi te Kastrioti. Në këtë mënyrë ai nuk do të jetë më pjesë e Kastriotit nga dita e sotme, por ende nuk e ka qartësuar të ardhmen e tij pas këtij largimi.

Roxher luante te Kastrioti si i huazuar nga Kukësi megjithatë verilindorët shpesh kanë treguar interesim për brazilian të cilin mund të provojnë ta mbajnë në Kukës këtë sezon. Burime zyrtare të klubit verilindor, pranuan për “VipSport” se Roxher ka kontratë me Kukësin dhe do të kthehet në skuadër pas pushimeve. /Erjon Allaraj-VipSport.al/