Kallaku i premton besnikëri Teutës: E ndjej veten durrsak, do më shihni te ekipi i zemrës

Teuta ka nisur përgatitjet për sezonin e ardhshëm dhe ndeshjet e Europës duke konfirmuar boshtin e ekipit ndërkohë që ka afruar edhe shumë futbollistë të tjerë e njëkohësisht ka larguar disa. I konfirmuar edhe për sezonin tjetër, duket se do të jetë edhe Sherif Kallaku për të cilin ka oferta edhe nga jashtë.

Në kampionatin turk, Kallaku është vëzhguar nga disa skuadra ndërkohë që vetë kapiteni i Shpresave, duket se ka dëshirë të qëndrojë në Durrës. Në një postim në faqen zyrtare të klubit, Kallaku shprehet se nuk do të largohet nga Teuta.

”Unë kam një kontratë për një sezon dhe do e respektoj deri në fund, të tjerat i di klubi, ndaj nuk është se më tërheq ideja për t’u larguar nga Teuta por dua të jap më të mirën time në këtë ekip. Do më shihni te Teuta, ekipi i zemrës, ekipi që më ka dhuruar shumë kënaqësi dhe emocione. Unë e ndjej veten durrsak dhe do bëj ç’është e mundur për Teutën dhe sportdashësit durrsak”, u shpreh Kallaku. /Erjon Allaraj-VipSport.al/