Kabo: Jemi mbrapa në krahasim me vendet e tjera, Partizani theu rekordin e Milanit

Profesor Përparim Kabo, mendon se klubet shqiptare nuk janë në gjendje të rivalizojnë me klubet në kampionate të tjera sa i përket pjesëmarrjes në Kupat e Europës. Në “Procesi Sportiv”, ai analizoi mendimin pse klubet shqiptare e kanë të vështirë të kualifikohen.

“Ne jemi goxha mbrapa dhe varet nga cilësia e futbollistëve që ka kampionati, kompetiviteti i garës, edhe pse ky i fundit u cilësua më Fair Play. Rivaliteti lë për të dëshiruar se ekipe që mendohet se janë kandidatë për kampione e kandidatë për vendet e para, si Tirana e Flamurtari u paraqitën dobët. Teuta ishte me oshilacione, Skënderbeu në fillim ishte mirë e u zbeh e pastaj vijuan humbjet. Mbeti gara në distancë mes Partizanit dhe Kukësit dhe përfundoi me distancë të madhe. Ndaj se si duket kur thuhet që fati nuk ishte me ne. Me këdo që t’i binte, çështja nëse merr pjesë në Kupa nuk është a ke fat, është a ke kualitet apo jo.

Me zemër të gjithë do të donim të shihnim Partizanin të kalonte, por është e vështirë të ndeshet me klube që kanë buxhet të mirë, kanë trajning, seriozitet. Nuk është se jam pesimist, por jam realist. A doni të themi se jam entuziast? Ja e pamë në ndeshjen e parë miqësore të Partizanit, ekuilibra të brishtë, mjafton të largohen dy lojtarë në mbrojtje. Thyem rekord, se për 7 minuta tre gola hëngri Milani, këto i hëngrën për 6.

Klubet shqiptare kur vjen Europa janë kantier i hapur. Kërkohet golashënues tani, edhe po e gjete kur do të vijë?”, ishte konstatimi i Kabos. /vipsport.al/