Ka eliminuar Skënderbeun dhe me sulmues shqiptar në skuadër, njihuni me kundërshtarin e Kukësit

Kukësi ka njohur sot kundërshtarin me të cilin do të luajë në turin e parë të Ligës së Europës. Verilindorët do të kenë përballë skuadrën hungareze të Debrecenit, skuadër kjo që këtë sezon e ka mbyllur kampionatin në vendin e tretë në klasifikim. Debreceni nuk ishte një kundërshtar shumë i preferuar nga Kukësi duke qenë se është një emër i madh në futbollin hungarez dhe jo vetëm.

Hungarezët kanë arritur të kualifikohen në grupet e Ligës së Kampionëve në sezonin 2009-2010 ndërkohë që janë skuadra që kanë fituar 7 tituj kampion në Hungari që nga viti 2000. Debreceni njihet mirë në Shqipëri pasi vetëm pak vite më parë ka luajtur kundër Skënderbeut në Ligën e Kampionëve, aty ku hungarezët kanë arritur të triumfojnë.

Në ndeshjen e parë të luajtur në Shqipëri, Skënderbeu fitonte me rezultatin 1-0 falë golit të shënuar nga Sebino Plaku ndërkohë që vetëm një javë më  vonë mundej me rezultatin 3-0 në Hungari. Në skuadrën e Debrecenit, sulmues është edhe futbollisti shqiptar Albion Avdijaj i cili ka qenë pjesë e Shpresave të Shqipërisë në kohën kur drejtohej nga Skënder Gega. /Erjon Allaraj-VipSport.al/