Juventusi i fokusuar te trajneri i ri, Napoli i ‘parakalon’ në garën për mbrojtësin

Pritet të jenë ditët deçizive për Juventusin, sa i përket çështjes së trajnerit të ri. Klubi bardhezi, duket se po formalizon dhe po kryen të gjitha procedurat për të zyrtarizuar pasuesin e Masimilianon Alegrit, i cili me shumë mundësi do të jetë Mauricio Sarri.

Por, çështja e trajnerit duket se ka shkaktuar që ‘Zonja e Vjetër’, të lejë pak pas dore merkaton. Juventusi ka shprehur hapur nevojën për të transferuar një mbrojtës, ndërsa është në bisedime me disa prej tyre. Duke parë vështirësitë për të sjellë në Torino, De Ligt, bardhezinjtë ishin pranë një akordi me mbrojtësin e Romës, Kostas Manolas. Por, së fundmi nga mediet italiane bëhet e ditur se Juventusi është ‘parakaluar’ në këtë garë nga Napoli.

Të kaltrit duket se kanë gjetur gjuhën e përbashkët me grekun, teksa i kanë ofruar një kontratë 4-vjeçare me 3.5 milionë euro në sezon. Një ofertë e cila ka joshur Manolas, i cili duke parë edhe vonesën e Juventusit për të mbyllur operacionin, është pranë firmës me skuadrën e Ançelotit. Megjithatë, tashmë Napoli duhet të bindë Romën, ndërsa klauzola e grekut është 36 milionë euro.

/Egi Çabeli-VipSport.al/