Juventus nuk ka hequr dorë nga Hysaj, bardhezinjtë kërkojnë një çmim të arsyeshëm

Juventusi është shumë pranë Mauricio Sarrit, i cili do të marrë në këtë formë trashëgiminë e Masimiliano Alegrit. Ish-tekniku i Napolit do të përgatisë kështu rikthimin e tij në Itali, pas një viti në Premier League, nën drejtimin e Çelsit. Ndërkohë, Sarri do të japë edhe idetë e tij në merkaton  bardhezinjve, ndërsa tekniku i ka besuar gjithnjë Elseid Hysajt.

Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, ka kaluar periudhën e tij më të mirë nën drejtimin e Sarrit. Në këtë mënyrë, Juventusi do të mundohet të kënaqë kërkesat trajnerit të ri, aq më tepër kur nga ana tjetër, Zonja e Vjetër është në detajet e fundit për transferimin e Kanselos në Angli, te Mançester Siti. Kështu, krahu do të ishte i lirë për Hysajn, të besuarin e Sarrit.

Ndërkohë, për shkodranin ka shprehur interes edhe Atletiko, megjithatë spanjollët, të paktën për momentin janë tërhequr, pasi e konsiderojnë të shtrenjtë kartonin e 25-vjeçarit. Në fakt, pretendimet e Napolit janë të larta dhe Juventusi mund të fillojë negociatat vetëm në rast se të kaltrit tregohen të arsyeshëm në kërkesat e tyre.

/Egi Çabeli-VipSport.al/