Jupi tregon “botën e egër” të trajnerëve shqiptarë: Shumë u gëzuan që iku Gega, ia fusin njëri-tjetrit

Redi Jupi argumenton se institucioni i trajnerit nuk është i respektuar në Shqipëri dhe ai ka shfrytëzuar rastin e largimit të Skënder Gegës nga Partizani për të argumentuar se ka edhe luftë brenda llojit. Në “Procesi Sportiv” ai u shpreh i bindur që kishte trajnerë të cilët e prisnin me padurim largimin e një tekniku për t’i zënë vendin.

“Nuk duhet të flitet vetëm për Gegën, por për institucionin e trajnerit që është i nëpërkëmbur në Shqipëri, edhe për faj të tyre. Prisja reagim të madh me largimin e Skënderit nga tifozët, mediat, shoqata, të gjithë trajnerët të cilët vetëm këtë nuk po bëjnë. Largimi i një trajneri kampion që bëri gjysmë mrekullie se një ekip pa pretendime arriti ta nxirrte kampion me diferencë. Nuk është shenjë e mirë për ata që duan të bëjnë këtë profesion, më vinte ndër mend Tirana që largonte trajnerët kampionë.

Ishte rasti i Likës nga Luftëtari që nuk arrij të marr shpjegim. Këtu ka një sens perversiteti sapo largohet ndokush, çfarëdo kontributi të ketë dhënë. Ka një lloj kënaqësie e ekzaltimi të çuditshëm, si për atë që punon mirë apo atë keq. Ka tendencë të zbehen vlerat për t’i bërë njëlloj, meqë askush që merret me këtë puna aty nuk ka kontribut real, ka tendencë për të zbehur punën e të gjithëve, për të thënë që nuk kanë vlerë trajnerët, për të minimizuar gjërat e arritura.

Goditja vjen nga vetë trajnerët, të jemi të sigurt që shumë vetëve u ka pëlqyer që është larguar, një vend mbetet bosh. Nuk është se do ta marrin të gjithë, nuk e kuptojnë se edhe ai mund të keqtrajtohet pas 6 muajsh. Mungon respekti absolutisht këtu, janë 15 në garë për t’ia futur dy vetëve, ata që janë pa punë mundohen që t’ia hedhin të tjerëve që janë në punë.

Një pjesë e madhe e komunitetit të trajnerëve luftojnë kundër punës së tyre, do të jenë në atë pozicione e do të vuajnë të njëjtën gjë. Duhet të luftojmë të mos hiqen nga puna kollaj, se nuk është punëtor fushe, kur e heq edhe ke dështuar me zgjedhjen që ke bërë. Sa më gjatë ta mbash aq më mirë, historia e Partizanit sapo ka nisur, fillon me fitimin titullit. Kishte garanci për mënyrë pune të caktuar dhe më duket çudi se si u la në mes, shpresoj që të jetë larguar vetë, nuk kam folur dhe nuk marr përsipër të them si iku Gega.

Është rasti i trajnerit të Vllaznisë, skuadrës së parë të futbollit tonë, largohet në mes të sezonit se i doli lotaria amerikane. E kuptoni në çfarë niveli ka arritur, në vend të marrim nga andej, na ikin se i del lotaria”, tha Jupi. /vipsport.al/