Jupi: Klubet këtu përgatiten me fjalë. Dënimi i Skënderbeut ishte edhe për Tiranën e Luftëtarin

Redi Jupi është i bindur se përgatitja e klubeve shqiptare për pjesëmarrjen në Kupat e Europës lë shumë për të dëshiruar nga fakti se ata e mendojnë si të ndarë nga kampionati. Në “Procesi Sportiv” ai tregoi se cili ishte gabimi më i madh që bënin klubet dhe që i pënalizonte ndjeshëm në garë me ekipe të cilat në letër janë të përballueshme.

“Mendoj që ishte një kampionat i cili deri diku përfundoi në mënyrë të mirë, nuk pati shumë ndërhyrje, garuan, pati njollën e Kamzës jashtë. Ajo që më bën përshtypje nga ekipet tona, është që nuk i shoh gati për në Kupat e Europës. Ka një shkëputje nga kampionati në atë që bëjnë në Europë, unë e shoh ndryshe këtë pjesë. Kupat duhet të jenë vazhdim i përgatitjeve, por ato shkëputen dhe nuk është natyrale, jo se e marrin me frike. Bëjnë përgatitje me letër e fjalë, e përkthyer aspak në parametra teknik dhe del jashtë kontekstit të kampionatit.

Te ne ndryshohet ekipi për dy ndeshje. Si ndryshohet për Champions. nuk shton asgjë, nuk ka kuptim! Ajo që bëjnë gabim është që nuk e kanë të lidhur në mënyrë të rrjedhshme kampionatin me Europën. Ata duhet të bëjnë llogari për kampionatin tjetër, vit pas vitit të shtohet elementi, të shtohet të kesh një avantazh taktik. Kurse ne themi do bëjmë ekip për Champions, për dy ndeshje, duke rrënuar gjithë skuadrën. Te Partizani shoh hap të gabuar në disa gjëra, kurse Kukësit i mori një nga lojtarët më të mirë, nuk është e logjikshme dhe nuk është e rrjedhshme.

Me gjithë respektin për këdo kemi përballë, kemi parë ndeshjen Katari-Argjentina. Nga njëra anë luanin yjet e botës dhe nga tjetra lojtarë që luajnë vetëm në kampionatin e tyre, ku nuk do shkonte lojtari më i keq i Argjentinës. Kur vjen puna, i hapi telashe, Nuk ka më raporte të tilla që luan me skuadër të pamundur. Karabaku është mirë në kampionatin modest të tij, dyshoj që ëshët më i fortë se ne, nuk më duket nivel i lartë. Buxheti është gjë tjetër nga cilësia, Me 6 milionë euro në Zvicër janë si 600 mijë euro në Shqipëri. Për shembull Ventspils as nuk duhet diskutuar fare, lojtarë nag kategoria e parë shqiptare shkojnë për të luajtur në Letoni. Janë të gjithë të kalueshëm, por nga ajo që thashë më lart, këto nuk janë gati për të luajtur me këdo.

Dënimi i Skënderbeut? Ky dënim është për të gjithë futbollin tonë dhe e mori në kurriz se çfarë u bë ishte shumë. Ky ishte dënim edhe për Tiranën e Luftëtarin. Luftëtari vjet ishte nën hetim, se vazhdon kjo gjë. Skënderbeu është dënuar më shumë se sa duhet, se në gjithë këto vite kështu ishte”, tha Jupi. /vipsport.al/