Junajtid arrin akordin me mbrojtësin, gati 50 milionë paund për Kristal Palas

Mançester Junajtid ka arritur akordin me mbrojtësin e krahut të djathtë nga Kristal palas, Aron Van Bisaka. Talenti 21-vjeçar, ishte pjesë e Anglisë në Botërorin e U 21-vjeçarëve, ndërsa pritet në Mançester për të kryer vizitat mjekësore.

Lojtari do t’i kushtojë arkave të ‘Djajve të Kuq’ 50 milionë paund, teksa tashmë ish-lojtari i Kristal Palas do të përfitojë një  90 mijë paund në javë. Duket se këtë sezon trajneri Ole Gunar Solskajer do të mbështetet te futbollistët e rinj, teksa Junajtid deri në këto momente ka firmosur edhe me Daniel Xhejms nga Suonsi.

Van Bisaka shkëlqeu në sezonin e kaluar me Palas, teksa u zgjodh edhe si lojtari i vitit nga fansat e klubit. Junajtid i kishte nisur prej kohësh bisedimet me klubin londinez, megjithatë në ditën e djeshme është gjetur gjuha e përbashkët. Van Bisaka në këtë mënyrë do t’i japë freski mbrojtjes duke parë moshën  dhe paraqitjet e Eshlej Jang në sezonin e kaluar.