Jo vetëm çmimi për Strakoshën, te Lacio gjejnë edhe pasuesin e gardianit kuqezi

Thomas Strakosha po kërkohet me ngulm nga shumë klube elitare në Europë ku paraqitjet e tij në sezonin e fundit me fanellën e Lacios, kanë bërë që shumë skuadra të hedhin sytë nga ai. Në Premier Ligë janë të shumta ekipet që kërkojnë shërbimet e portierit shqiptar ndërkohë që te Lacio kanë vendosur ta shesin vetëm për 50-55 milionë euro dhe asnjë më pak.

Sakaq, në Itali kanë nisur të spekulojnë edhe për pasuesin e portierit kuqezi. Sipas asaj që raportohet në media, lacialët kanë hedhur sytë nga Alesandro Mikai dhe nuk duket e vështirë që ta marrin. Portieri 25-vjeçar aktivizohet me skuadrën e Salernitanës, president i së cilës është Klaudio Lotito.

Portieri italian që në të kaluarën ka qenë pjesë e Barit, ka firmosur një kontratë 5-vjecare me Salernitanën dhe me shumë gjasa do të kalojë te Lacio aty ku do të ketë detyrën e vështirë që të zërë vendin e Strakoshës nëse ky i fundit largohet. /Erjon Allaraj-VipSport.al/