Javën e ardhshme “zbardhet” lista, në Ballsh përgatiten për afrimet

Bylisi ka planifikuar parimisht që të zbresë në fushë në 1 korrik e madje një periudhë 10 ditore të jetë stërvitje me ngarkesë me “doza” më të ulëta, ndërsa kjo do të shfrytëzohet edhe për ndonjë testim të lojtarëve qe mund të vijnë, kryesisht talente nga moshat që janë pikasur gjatë aktivitet apo edhe ndonjë afrikan apo ballkanas.

Lista

Ne Ballsh po bëhen gati dhe pritet që javën qe vjen të “zbardhet” lista qe do të thotë se me ardhjen e trajnerit Dovedan do të ketë një takim me presidentin Besnik Kapllanaj për të vendosur për lojtarët e sezonit të shkuar te cilëve u ka përfunduar kontrata. Gjithashtu bëhet me dije se janë piketuar edhe afrimet dhe pritet që me ardhjen e trajnerit të vi edhe “vula” për largimet dhe afrimet.

Strategjia

Në fakt kjo është një strategji që po ndiqet këtë sezon si rrallë në vitet e fundit kur Bylisi bënte shumë lëvizje. Me sa duket tashmë largimet dhe afrimet në Ballsh bëhen në mënyrë të detajuar duke analizuar çdo detaj të lojtarëve si atyre që vijnë ashtu edhe atyre që largohen.

Financat

Bylisi është një nga klubet me financa të garantuara në Superiore dhe në Kategorinë e Parë. Te ballshiotët thuajse nuk ka pasur fare probleme rrogash, ndërsa në Kategorinë e Parë mallakastriotët kanë luajtur me lojtarë Superlige. Natyrisht që edhe në sezonin e ardhshëm do të ketë emra te njohur, e madje goditja më e madhe pritet që të jetë sulmuesi i një kombëtare të njohur të Afrikës qe ka spikatur si shënues edhe në Kupën e Kombeve.

E.S./Vipsport.al/