“Janë të çmendura!”, Uli Hënes i vë vulën transferimit të Leroi Sane

Duhej të ishte blerja e madhe e Bajenr Mynih dhe ylli i cili për shumë vite do të bëhej lideri i projektit të ri të bavarezëve. Por transferimi i Leroi Sane te kampionët e Gjermanisë me sa duket nuk do të realizohet, pasi këta të fundit nuk kanë ndër mend të bëjnë çmenduritë financiare që kanë luksin të bëjnë klubet angleze falë milionave që fitojnë nga e drejta TV.

Këtë e konfirmon edhe vetë Uli Hënes, presidenti i Bajern Mynih, i cili ka deklaruar se shifrat që kërkon Mançester Siti apo edhe vetë rroga që synon lojtari është e papërballueshme pasi kalon çdo lloj parametri normal.

“Është shumë pak e mundshme që të realizohet. Është për shkak të shifrave, ato janë të çmendura”, ishte reagimi i Hënes i pyetur nga “Kicker” rreth situatës me lojtarin e ri gjerman i cili nuk po gjente hapësira te Siti dhe mendohej se ishte në kërkim të një sistemimi të ri.

Sipas mediave gjermane, Mançester Siti kërkon më shumë se 100 milionë euro për lojtarin, ndërsa edhe vetë ky i fundit raportohet se ka kërkuar një rrogë mbi 10 milionë euro për t’iu bashkuar bavarezëve, kërkesa që janë cilësuar të tepruara nga stafi i klubit gjerman. /vipsport.al/