Izair Emini dhe “lidhja” me titullin kampion: E kemi skuadrën e duhur, gëzojmë tifozët

Izair Emini u largua pak ditë më parë nga Shkëndija e Tetovës duke firmosur në kampionatin e Kosovës me Dritën. Sulmuesi shqiptar nga Tetova ka folur për herë të parë si një futbollist i Dritës, duke zbuluar edhe detaje nga objektivat që klubi i ka vënë futbollistit dhe skuadrës gjilanase.

Në një intervistë për “Infosport.mk”, Emini u shpreh se edhe te Drita kërkon titullin kampion, objektiv të cilin e ka arritur në 3 sezonet e fundit me skuadra të ndryshme. Fillimisht, ai u shpall kampion në Shqipëri me Kukësin e më pas arriti të fitojë edhe dy tituj radhazi me Shkëndijën.

“Normalisht jam shumë i kënaqur me kushtet që më kanë ofruar nga skuadra e Dritës. Ambiciet e klubit, sipas asaj që më thanë drejtuesit e klubit, janë titulli kampion, kupa, ose minimumi dalja në Europë, por mendoj se kemi ekip që të kthejmë titullin përsëri në Gjilan dhe ti gëzojmë tifozët tanë përsëri”, tha Emini. /Erjon Allaraj-VipSport.al/