Ish-trajneri: Dëmtimet e kanë masakruar, Berisha meriton një shans të dytë

Në sezonin e kaluar pjesë e Lacios ishte edhe mesfushori shqiptar Valon Berisha. Lojtari i përfaqësueses së Kosovës, u transferua nga skuadra e Salzburgut, por nuk mundi të shfaqte të plotë potencialin e tij në ekipin kryeqytetas.

Mesfushori vuajti dëmtimet e shpeshta, të cilat nuk e lejuan të ishte në formën e tij maksimale. Sezoni jo në nivelin e pritshmërive, ka bërë që pozicioni i Berishës për në sezonin e ardhshëm të vihet në diskutim, edhe pse ishte i pafat në aspektin e dëmtimeve. Megjithatë, cilësitë e 26-vjeçarit nuk diskutohen dhe i këtij mendimi është edhe ish-trajneri i të rinjve të Lacios dhe opinionist pranë klubit, Roberto De Kozmi, i cili shprehet se Berishës i duhet dhënë një tjetër shans, pasi dëmtimet e kanë masakruar.

“ Mendoj se Berishës i duhet një mundësi e dytë. Dëmtimet e kanë masakruar. Nëse një futbollist nuk gjen vazhdimësinë e ka të vështirë. Ai ka karakteristika të rëndësishme, por nuk kemi mundur ta vlerësojmë. Shoqëria dhe trajneri e dinë.  Është njësoj si rasti i Luis Albertos, i cili në vitin e parë nuk bëri mirë, por pastaj shpërtheu. Për këtë, Berisha meriton një tjetër mundësi”, tha De Kozmi.

/Egi Çabeli-VipSport.al/