Ish-sulmuesi i Partizanit premton gola te Bylisi i Superiores

Bylisi ka ndërtuar një strategji efikase duke i besuar lojtarëve të rinj të talentuar, të gjithë thuajse pjesë e Kombëtareve të moshave apo dhe me Shpresat. Një prej tyre është edhe sulmuesi Ardit Jaupaj. Ai ka luajtur me skuadrat e Partizanit, Sopotit, Ferronikelit. Sezonin e shkuar u bë pjesë e Bylisit, aty ku do të vazhdojë edhe në Superiore pasi është ende nën kontratë.

“Kam bërë zgjedhjen e duhur duke qenë se te Bylisi është mundësia më e mirë për lojtarët e talentuar. Mendoj se sezoni i shkuar më ka vlejtur që unë të rehabilitohem, pasi në fillim të sezonit u largova nga Luftëtari, kisha problem me letrat, luajta në Devoll. Ndërsa në pjesën e dytë të garës te Bylisi më vlejti shumë. Bëra një fazë speciale me një klub profesionist. Jam i kënaqur sepse u aktivizova 365 minuta, në një skuadër që në sulm ka pasur kualitete dhe lojtarë që bënë diferencën në Kategorinë e Parë”, – tha Jaupaj.

Lidhur me sezonin e ardhshëm për Superioren, Jaupaj, tashmë 23-vjeç dhe e më shumë eksperiencë ka pohuar: “Kur kam qenë pjesë e Partizanit kam qenë pjesë e ekipit dy herë në elitë. Me Bylisin është e treta e vërteta. Jam i përkushtuar dhe premtoj se do të bëj më të mirën në sezonin e ardhshëm. Për Bylisin do të jetë një vit shumë i mirë sepse puna është e bazuar në një projekt. Unë personalisht kam bërë zgjedhjen më të mirë dhe besoj se sezonin e ardhshëm do të tregoj vlerat e mia më të mira”.

E.S./Vipsport.al/