Ish-mesfushori i Udinezes “kërcënon” të kuqtë: Ndihem shumë mirë, gati për Partizanin

Partizani do të luajë pas pak ditësh ndeshjen e parë në Ligën e Kampionëve ku përballë do të ketë Karabakun e Azerbajxhanit. Kampionët në fuqi të Azerbajxhanit kanë nisur nga puna për merkaton e verës dhe kanë arritur të sigurojnë shërbimet e një mesfushori mjaft cilësor.

Jaime Romero që në të kaluarën ka qenë pjesë e Udinezes dhe Real Madrid Kastijës, është prezantuar para mediave dhe ka thënë edhe fjalët e tij të para si futbollisti më i ri i Karabakut. Ai ka pranuar se është gati për ndeshjen ndaj Partizanit dhe se ndihet mirë.

“Jam i lumtur për kalimin tim te Karabaku pasi është një eksperiencë e re për mua. Shpresoj që të bëj më të mirën me këtë fanellë dhe të kem mundësi që të ndihmoj skuadrën. Do të bëj maksimumin që të përgatis sa më mirë ndeshjen ndaj Partizanit pasi ndihem mirë fizikisht dhe jam gati”, u shpreh Romero. /Erjon Allaraj-VipSport.al/