Ish-futbollisti i Kamzës i jep fund me ekipin maltez, Imeri përfundon para kohe kontratën

Ish-futbollisti i Kamzës në Kategorinë Superiore, Demir Imeri e ka mbyllur aventurën e tij në kampionatin maltez. Imeri ka qenë pjesë e Kamzës në sezonin 2017-2018, teksa është aktivizuar në 21 takime, ndërsa më pas provoi një aventurë në Finlandë me skuadrën e PS Kemi.

Gjithsesi prej muajit janar, sulmuesi anësor ishte transferuar te skuadra malteze e Mostës. Megjithatë, edhe pse kishte një kontratë e cila e mbante të lidhur deri në qershor të vitit 2020, sërish vendosi të largohet.

Gjatë periudhës që ishte pjesë e kampionatit maltez, Imeri arriti të shënonte edhe 3 gola, duke u aktivizuar në 6 ndeshje me skuadrën e Mostës. Tashmë, futbollistit do t’i duhet të kërkojë një alternativë të re për të vazhduar karrierën. Ndërkaq, më parë përgjatë viteve 2014-2016. Demir Imeri është aktivizuar edhe me skuadrën e Shkëndijes së Tetovës.

/Egi Çabeli-VipSport.al/