Interi dhe Milani i japin fund dyshimeve, avancon projekti i stadiumit të ri

Milani dhe Inter, dy klubet e Milanos, kanë vendosur që San Siro do të shkatërrohet dhe më pas do të ndërtohet një stadium i ri. Ka qenë presidenti i kuqezinjve, Paolo Skaroni i cili ka dhënë lajmin se në vendin e stadiumit do të ndërtohen godina të reja, ndërsa aty pranë do ngrihet stadiumi i ri.

“ Do të ndërtojmë një San Siro të ri pranë atij të vjetrit. Stadiumi i vjetër do të shembet dhe në vendin e tij do të ndërtohen godina të reja”, tha presidenti. Ndërkohë, edhe administratori i deleguar i zikaltërve ka qenë dakord me fjalët e presidentit kuqezi.

Mesa duket, epoka e San Siros ka marrë fund dhe në stadiumin mitik do t’i lejë vendin një impianti të ri, i cili gjithashtu do  të krijojë historinë e tij. Ndërkohë, mbetet për t’u parë se si do të pritet ky vendim nga tifozët të cilët janë shprehur kundër shembjes së stadiumit.