Inter, Ikardi, Zaniolo, Dibala dhe Juventus. Gjithçka komplikohet nga dëshira e argjentinasve

Gjithçka rrotullohet rreth Mauro Ikardit te skuadra e Interit. Duket se merkato është e bazuar te shitja e sulmuesit argjentinas dhe ky i fundit është i gatshëm të largohet, por vetëm nëse plotësohet dëshira e tij për destinacionin e ardhshëm.

Interi në fakt, sapo mësoi se edhe Antonio Konte nuk e ka në plane sulmuesin problematik, u mundua që t’i gjente sa më parë një sistemim. Mediat italiane saktësojnë se zikaltërit deshën të mbyllnin gjithçka brenda qershorit ndaj edhe ia ofruan Napolit, e më pas edhe Romës, duke i kërkuar kësaj të fundit në këmbim Zaniolon.

Por futbollisti i talentuar i cili një vit më parë u largua nga zikaltërit, nuk do të kthehet përsëri në klub. Kjo për faktin e thjeshtë se Ikardi nuk ka ndërmend që të shkojë te Roma. Burimet e “La Repubblica” sqarojnë se sulmuesi ka në mendje vetëm Juventusin, pasi i ka premtuar bardhezinjve se do të presë ofertën pasi të mësohet emri dhe planet e trajnerit të ri.

Interi e di këtë, ndaj ka menduar për shkëmbimin me Dibalan. Gjithçka ok për Juventusin, por jo për argjentinasin, i cili dëshiron të qëndrojë në Torino të luajë përkrah Ronaldos. Një situatë e cila mban të gjithë në ajër dhe që praktikisht ka bllokuar merkaton e dy klubeve të cilat shohin te dy argjentinasit burimin kryesor të të ardhurave për transferimet e verës. /vipsport.al/