Igli Tares i gjendet edhe pasuesi te Lacio, vendin e tij do ta zërë një futbollist aktual

Pak ditë më parë, Igli Tare vendosi që të refuzonte ofertën e Milanit duke vazhduar si drejtor sportiv te Lacio, skuadër te e cila ka pasur jo pak sukses. Marrëdhënia e mirë e presidentit Lotito me Taren, ka bërë që asnjëherë të mos dyshohet në lidhje me aftësitë e tij dhe të mos rrezikojë vendin e punës.

Megjithatë, gjithkush e di se çdo fillim e ka një fund dhe Lotito po mendon se kush do të jetë pasuesi i Igli Tares në të ardhmen. Mediat italiane raportojnë se mbrojtësit rumun, Stefan Radu i përfundon kontrata pas dy vitesh dhe drejtuesit lacialë kanë vendosur gjithçka për të ardhmen e tij.

Radu është një futbollist që e njeh mirë futbollin dhe Italinë dhe nga Lotito shihet si Igli Tare i ri. Pas vitit 2021 kur i përfundon kontrata, me shumë gjasa do t’i jepet ky rol i ri mbrojtësit rumun që do të ketë detyrën të jetë si Tare. /Erjon Allaraj-VipSport.al/