I shkoi pranë rikthimit në Serie A, Memushaj: Është një plagë që ende djeg

Ledian Memushaj, edhe këtë sezon nuk arriti të ngjitej në elitën e futbollit italian, teksa me Peskarën u ndal në gjysmëfinalet e ‘play off’ ndaj Veronës, teksa më pas veronezët ishin ekipi që preku Serinë A. Mesfushori, i cili edhe në këtë grumbullim të Kombëtares për dy ndeshjet e zhvilluara ndaj Islandës dhe Moldavisë nuk ishte prezent për shkak dëmtimi, ka folur në medien italiane për sezonin me Peskarën.

Vlonjati e ka cilësuar si një plagë që ende djeg, mos arritjen e Serisë A, ndërsa shtoi se tashmë me trajnerin e ri do të kërkojnë të ndërtojnë diçka të rëndësishme. “ Është e kotë ta fshehim zhgënjimin, plaga ende djeg dhe kërkon kohë për t’u shëruar. Ka qenë një sezon pozitiv, askush nuk na shihte mes favoritëve, por luftuam deri në fund për t’u rikthyer në Serinë A.

Duhet të mësojmë edhe nga humbjet. Tashmë duhet të jemi të përqendruar të sfidat e reja kur të rinisin përgatitjet. Do të kem gjithnjë një memorie pozitive nga trajneri Pilon, tani është Zauri. E njohim, është një person që e di si të na marrë më të mirën dhe të ndërtojmë diçka të rëndësishme”, tha Memushaj.

/Egi Çabeli-VipSport.al/