“I çmenduri” Bielsa godet përsëri, kërkon 20 milionë euro nga Lila se zbuloi yje

Marcelo Bielsa vazhdon me sjelljet e tij të pazakonta. Trajneri i njohur argjentinas ka marrë nofkën “El Loco” pikërisht për sjelljet e tij shpesh të çuditshme si sa i përket përgatitjes së ndeshjeve, ashtu edhe situatave larg fushave të lojës. Më e fundit është vendimi që ka marrë trajneri për të hedhur në gjyq klubin  Lilës në Francë, pasi lojtarët që afroi ai gjatë periudhës së shkurtër në drejtimin e tij, tani po i sjellin dhjetëra miliona euro fitime.

Trajneri 63-vjeçar, mbijetoi 7 muaj te klubi francez, duke u shkarkuar nga detyra pas vetëm 13 ndeshjesh. Tani ai ka kërkuar që t’i paguhet kontrata e plotë prej 2 vitesh që kishte nënshkruar me francezët si dhe kompensim pasi i kanë prishur reputacionin. Ai kërkon një dëmshpërblim jo të vogël, pasi shuma arrin 20 milionë euro.

Bielsa shkoi te Lila në verën e vitit 2017 dhe menjëherë informoi 11 lojtarë që do të largoheshin nga klubi. Gjatë asaj vere, trajneri nisi një fushatë të gjatë rekrutimi, duke afruar emra të rinj të talentuar si Nikolas Pepe e Kevin Malkuit, për vlera relativisht të ulëta.

Malkuit u shit te Napoli me klubin që fitoi menjëherë 3 milionë euro nga ai, ndërsa Pepe ndiqet nga emrat më të njohur në Europë dhe tani vlerësohet 80 milionë euro. Rritja e vlerave të futbollistëve që ai afroi në ato muaj, janë ato që shtyjnë Bielsën të mendojë se gjykata mund t’i japë të drejtë në këtë çështje që ka hapur ndaj Lilës. /vipsport.al/