Hipotezë e bujshme për pankinën e Partizanit, nga Moxhi te armiku i përbetuar

Vetëm pak ditë nga largimi i Skënder Gegës nga pankina e Partizanit, të kuqtë nuk kanë vonuar të bëjnë hapat e parë konkret për të afruar pasardhësin e tij dhe me sa duket po shqyrtojnë një herë pistën e të huajve, ku pritet përsëri një emër i bujshëm. Nëse më parë Partizani afroi Luçiano Moxhin në stafin e tij si këshilltar, sipas RTSH tani po mendon të afrojë si trajner armikun e tij të përbetuar, çekun Zdenek Zeman.

Ky i fundit është një emër shumë i njohur në futbollin europian e sidomos atë italian, ku ka drejtuar shumë skuadra të ndryshme mes të cilave ato të kryeqytetit italian dhe mbahet si një nga “mësuesit e futbollit”. I njëjti burim sqaron se drejtori Olsi Rama ka udhëtuar për të takuar trajnerin e për t’i parashtruar projektin e Partizanit për Kupat e Europës dhe sezonin e ardhshëm, për të gjetur një akord që ai të marrë drejtimin e kampionëve të Shqipërisë.

Meqë është parashikuar që brenda dy javësh skuadra të mblidhet për të filluar punën për fazën përgatitore, është menduar që të zgjidhet sa më shpejt puna e trajnerit, në mënyrë që të jetë e detajuar çdo lëvizje për fazën përgatitore dhe pjesëmarrjen në Champions që para hedhjes së shortit për pjesëmarrjen në Europë. /vipsport.al/

more recommended stories