Hidhet shorti i Ligës së Kampioneve, Feronikeli njeh rrugën drejt turneut

Skuadra e Feronikelit ka mësuar sot shortin e saj në turin paraelimiantor të Ligës së Kampioneve, ku klubi kosovar merr pjesë për herë të parë në histori. Kampionët e Kosovës këtë vit kanë mundësinë më të mirë për të ndjekur shembullin e vjetshëm të Dritës edhe për faktin se paraeliminatore zhvillohen me sistem grumbullimi me eliminim direkt në një vend dhe në edicionin e kaluar, sfidat zhvillohen në Prishtinë.

Sipas shortit të hedhur sot, ku Feronikeli gjendej në vazon e dytë, kundërshtari i ekipit të drejtuar nga Zekeria Ramadani do të jetë Linkoln Red Imps të Gjibraltarit. Kjo skuadër, në vitin e kaluar u përball në finalen e mini-turneut me Dritën, duke u mundur 4-1.

Nëse kalon Linkoln, Feronikeli do të luajë me fituesen e sfidës tjetër mes Tre Pene të San Marinos dhe Santa Koloma të Andorras. Fituesi i finales kalon në turin e parë të Ligës së Kampioneve, ndërsa tre skuadrat e tjera shkojnë në turin e dytë kualifikues të Ligës së Europës.

Ndeshjet gjysmëfinale të këtij raundi zhvillohen më 25 qershor, ndërsa finalja më 28 qershor. /vipsport.al/