Hidhet shorti i Ligës së Europës për Prishtinën, Josa kundër ekipit me lojtarë të dënuar si bastexhinj

UEFA ka hedhur sot shortin e turit paraeliminator të Ligës së Europës, nga i cili kanë dalë 7 çiftet të cilat do të garantojnë për fituesit një vend në turin e parë të turneut. Në këtë tur merr pjesë skuadra e Prishtinës, si nënkampione e Kosovës, meqë Feronikeli fitoi si titullin, ashtu edhe Kupën në edicionin e fundit.

Në shortin e hedhur sot, Prishtina ishte në vazon e 7 skuadrave më të mira, që ia ka bërë më të favorshëm shortin ekipit të Josës, i cili ka gjetur përballë si rival skuadrën e St. Zhozefs të Gjibraltarit. Ky është një klub modest i cili pavarësisht historisë prej më shumë se 100 vjeçare që ka, i themeluar në vitin 1912, ka fituar vetëm një herë kampionatin në këtë vend dhe 9 herë Kupën.

Sipas shortit, Prishtina luan ndeshjen e parë në fushën e vet më datë 27 qershor, ndërsa ndeshjen e kthimit e ka më datë 4 qershor në transfertë.

Në dy edicionet e fundit St. Zhozefs ka luajtur në Ligën e Europës, duke u eliminuar gjithmonë në turin paraeliminator. Pas pjesëmarrjes së parë në vitin 2017, klubi pësoi një goditje të rëndë kur kapiteni Esteban Montes dhe futbollisti tjetër Alberto Montanjo u dënuan me 5 dhe 3 vite pezullim pasi vinin baste për ndeshjet, gjë që ndalohej me rregullore. /vipsport.al/