Fundi i një epoke, ora historike 55-vjeçare e Hamburgut do të çmontohet

Pas më shumë se 55 vitesh, ora e “Wolksparkstadion” të Hamburgut do të çmontohet. Pak ditë pas dështimit për rikthimin në Bundesligë, klubi ka vendosur ta lëvizë këtë orë, që prej 55 vitesh tregonte kohën e  qëndrimit të Hamburgut mes më të mirëve të futbollit gjerman.

Nga viti 1963 në 2018-ën, ora në fjalë ka regjistruar ekzaktësisht vitet, muajt, ditët, orët, minutat dhe sekondat nga edicioni i parë historik në Bundesligë, nga ku Hamburgu, ku ka luajtur edhe kapiteni i Kombëtares, Mërgim Mavraj, nuk kishte rënë kurrë deri vitin e kaluar.

Ishte një objekt që ruhej me shumë krenari nga klubi i Hamburgut. Edicioni i parë i Bundesligës është zhvilluar në vitin 1963, kur iu dha fund formulës me grupe rajonale në Gjermani. Pas fitores së kotë të majit të vitit 2018 kundër Borusia Mënshengladbah, ora historike ndaloi në mënyrë të trishtë udhëtimin e saj të gjatë prej 54 vitesh, 261 ditësh, 0 orësh, 36 minutash dhe 2 sekondash.

Vendimi për çmontimin e orës, sipas klubit të njohur gjerman, është marrë që sezonin e kaluar, pasi Hamburgu kërkon të hapë një faqe të re në historinë e tij. / Vipsport.al