FOTO/ Risi me fanellat e dyta, Interi braktis ngjyrën e bardhë për shkak të tifozëve

Pak ditë para se të mbyllej kampionati italian, Interi prezantoi fanellën e re për sezonin e ardhshëm ku ngjyrat tradicionale zikaltër, mbetën të paprekura. Sakaq, risi mund të konsiderohet fanella e dytë e Interit, e prezantuar ditën e sotme nga klubi i Milanos që ka vendosur të bëjë jo pak ndryshime.

Interi ka hequr dorë nga fanella e bardhë, të cilën në vitet e fundit e kishte kthyer në tradicionale ku ka qenë shpesh herë e shoqëruar me gjarpër ose edhe kryqin e Milanos. Këtë sezon, Interi do të mbajë veshur në transferta një fanellë në ngjyrë mente, e thyer nga nuanca të zeza dhe ngjyrë gold. Shkak që Interi ka zgjedhur ngjyrën mente, janë bërë tifozët dhe sipas klubit, duke qenë se tifozeria e Interit qëndron në stolat jeshilë në “San Siro”, është vendosur që edhe fanella të jetë e tillë.

Logoja e klubit është gold me sfondin e zi, ndërkohë që edhe pjesa e jakës dhe krahëve ka shiritat gold dhe të zeza. Fanella e dytë do të shoqërohet me të shkurta të bardha ndërkohë që ditët në vijim pritet që të prezantohet edhe fanella e tretë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/