FOTO / Njëlloj si të luhej pa tifozë, sa pak njerëz për finalen në “Elbasan Arena”

Finalja e Kupës së Shqipërisë së këtij sezoni mund të jetë ndër ndeshjet me më pak interes në historinë e këtij turneu. Kjo pasi prania e tifozerisë në shkallaret e stadiumit për duelin mes Kukësit dhe Tiranës, është jashtëzakonisht e ulët.

Një numër shumë i vogël tifozësh të Kukësit janë paraqitur në stadium, edhe pse presidenti Safet Gjici kishte vënë në dispozicion autobusë falas për ta në Kukës dhe në Kamzë, në mënyrë që të ndiqnin të shumtë në numër ekipin. Largësia nga qyteti i Kukësit gjatë sezonit të fundit ka bërë që ekipi të shkëputet nga baza e gjerë e tifozëve që kishte në vitet e kaluara duke sjellë këtë situatë.

Nga ana tjetër, tifozeria e Tiranës, edhe pse kishte lajmëruar se do të ishte e pranishme në stadium, nuk ka qene e shumtë në numër sa pritej. Mbështetësit bardheblu, edhe nëse fitohet Kupa e Shqipërisë, janë të ndërgjegjshëm që ekipi është shumë larg nivelit të kërkuar dhe për ta nuk cilësohet një sukses edhe nëse ngrenë lart një trofe në këtë edicion, sidomos duke e ditur se ai nuk do i çojë në Ligën e Europës. /vipsport.al/