FOTO / “Lojtari brilant”, krijuesit e “Topit të Artë” zgjedhin Rashicën në formacionin ideal

Milot Rashica mes yjeve të futbollit europian. Tanimë nuk thjesht një ëndërr për një djalosh të talentuar i cili që në moshë të vogël mendohej se do të bëhej një emër i madh, pro një realitet i një lojtari të kompletuar i cili po shkëlqen si me klubin e tij në Bundesligë, ashtu edhe me përfaqësuesen e Kosovës ku është kthyer në lider të padiskutueshëm. Paraqitjet e tij të fundit, sidomos ajo ndaj Bullgarisë, kanë bërë që Rashica të marrë vlerësime ngado.

UEFA vetë i besoi çmimin simbolik të “driblimit të javës”, ndërsa tani Rashica është përfshirë edhe në formacionin ideal të “France Football” për ndeshjet e përfaqësueseve. Revista e cila krijoi trofeun e “Topit të Artë” dhe e shpërndan atë çdo vit, sheh yllin e ri të Kosovës si një prej emrave më të spikatur të ndeshjeve të dy ditëve të fundit në arenën e futbollit europian.

“Lojtari brilant i Verder Bremen (9 gola e 5 asist në 2018-2019 në Bundesligë), hapi serinë e golave dhe realizoi pasimin e golit të Rashanit, atë të fitores me Bullgarinë, në kohën shtesë të pjesës së dytë të ndeshjes”, shkruan revista e njohur franceze.

Rashica rreshtohet përkrah shumë emrash të njohur në arenën europiane si Diaz, Verrati, Bernardo Silva, Insinje, Guedes apo Xheko. /vipsport.al/