FOTO/ Gafa e “Corriere Dello Sport”, tallje epike nga “plakushi” i Andorrës

Andorra pësoi mbrëmë humbjen e radhës duke u mundur nga Franca me rezultatin e pastër 0-4. Sakaq, në fushë ishte edhe “plakushi” i Andorrës, duke qenë se 39-vjeçari Ildefons Lima Sola luajti një ndeshje të mirë në krahasim me pjesën tjetër të ekipit dhe prestigjiozja italiane, “Corriere Dello Sport” e ka vlerësuar, por në fakt ka qenë në dilemë.

Emri i tij i gjatë ka bërë që italianët të bëjnë një ngatërresë në vlerësimin që i është dhënë futbollistëve duke e marrë si dy emra të ndryshëm. Kështu, Ildefons ka marrë notën 5 nga “CDS”, ndërkohë që mbiemri i tij, Lima është vlerësuar me notën 4.5.

Kjo ngatërresë, nuk ka kaluar pa u vënë re dhe ka qenë vetë Lima ai i cili e ka publikuar në “Twitter” duke falënderuar “CDS” që i ka dhënë mundësi për aktivizim të dyfishtë ndërkohë që kërkon të lihet vetëm vlerësimi me notën 5 për të. /Erjon Allaraj-VipSport.al/