Formula 1 / Përplasje dhe polemika pa fund në Austri, por në fund fiton Verstapen (VIDEO)

Maks Verstapen me Red Bull ka fituar sot Çmimin e Madh të Austrisë në Formula 1, pasi mundi në një finale entuziazmuese Sharl Leklerk të Ferrari duke i dhënë suksesin e parë motorit Honda që te kthimi në këto gara automobilistike. Verstapen përfundoi në vendin e 8 në xhiron e parë, por ia doli të bënte parakalime të njëpasnjëshme dhe në fund kaloi Leklerk për t’i marrë vendin e parë në podium mes polemikave pasi ferraristi kërkoi dënimin e tij.

Lëvizja e tij, që përfundoi me një shtyrje jashtë pistës të Leklerk, përfundoi nën hetim nga komisarët e pistës. Leklerk e mbylli garën e në vendin e dytë ndërsa vendi i tretë i shkoi Valteri Botas, duke i dhënë fund edhe serisë së fitoreve të vetëm makinave Mercedes që nga fillimi i këtij sezoni.

Leklerk mbajti pas Botas në fillimin e garës, ndërsa Verstapen dhe Fetel ishin ata që bënë lëvizjet më spektakolare, duke fituar pozicion pas pozicioni nga prapavijat. Piloti i Ferrarit hyri bashkë me Botas në bokse, por si zakonisht mekanikët e tij bënë lëmsh gjithçka pasi nuk kishin kuptuar asgjë dhe nuk ishin gati për të bërë ndryshimin e gomave.

Pas zëvendësimit të gomave të të gjithë skuadrave, Leklerk dukej shumë i shkëputur nga ndjekësit, por në atë moment, Verstapen nisi sulmin nga vendi i katërt. Ai shkurtoi diferencën me Fetel para tij dhe arriti ta kalonte sapo iu shfaq mundësia të përdorte DRS. Fetel u fut në bokse dhe në fundin e garës, e pa veten pas Hemilton.

Ndërkohë, Verstapen kaloi Botas dhe kur mbeteshin 15 xhiro, u vu në ndjekje të Leklerk që kishte në avantazh prej 6 sekondash. Ndërsa mbeteshin 3 xhiro, ai arriti dhe kaloi ferraristi me një veprim që shkaktoi shumë polemika në radio nga të dy palët, por që i dha mundësinë holandezit të shkëputej e të merret fitoren i qetë.

Botas doli i treti ndërsa Fetel, në xhiron e fundit kishte kënaqësinë personale që arriti t’i merrte vendin e katërt Hemilton. Lando Norris mori vendin e 6 e më pas në zonën e pikëve përfunduan me radhë Gasli, Sainz, Raikonen dhe Xhiovinaci. /vipsport.al/