Filluan të dyshonin se braktisi Brazilin, Nejmar tregon “provat” e problemeve të tij

Gjërat nuk po ecin aspak mirë për brazilianin Nejmar, gjithnjë e më shumë në epiqendër të kritikave pas ngjarjes së fundit ku akuzohet për përdhunim të një modeleje. Sikur të mos mjaftonte kjo, futbollisti është dëmtuar me Kombëtaren dhe detyrohet të heqë dorë nga pjesëmarrja në Kupën e Amerikës pak ditë para fillimit të turneut.

Por edhe pse Nejmar u shfaq duke u larguar i përlotur nga fusha e lojës, kishte shumë tifozë që vunë në dyshim sinqeritetin e lojtarit. Në rrjetet sociale shpërthyen kritikat duke e cilësuar këtë një “dëmtim strategjik” pasi lojtari kërkonte të largohej nga vëmendja pas skandalit që kishte shpërthyer.

Kjo detyroi Nejmar që në rrjetet sociale të publikonte “provat” se ishte me të vërtetë i dëmtuar. Ai ka postuar një foto të kaviljes së tij të ënjtur pas goditjes që kishte pësuar. “Pas furtunës vjen qetësia…”, ishte mesazhi që shoqëronte foton, e nëpërmjet të cilit tregonte qartësisht se ky dëmtim do t’i jepte kohën e nevojshme që të riorganizonte jetën e tij. /vipsport.al/