Fiksimi i Juventusit dhe “jo” i Guardiolës, trajneri refuzoi një rrogë të pabesueshme

Te Juventus janë fiksuar me Pep Guardiolën dhe këtë vit janë gati të bëjnë çmenduri për të siguruar trajnerin spanjoll. Por duket se përtej fiksimit italian, vetë Guardiola nuk ndan të njëjtën ndjesi për bardhezinjtë dhe këtë e tregon refuzimi i fundit i tij, pasi ka hequr dorë nga një shifër jashtëzakonisht e lartë.

Versioni francez i “Eurosport” ka publikuar sot një lajm sipas të cilit drejtuesit e Juventus kanë provuar më kot në dy ditët e fundit t’i mbushnin mendjen trajnerit të ulej në stolin e bardhezinjve dhe të braktiste Mançester Sitin. Për ta bindur nuk mjaftonte vetëm projekti teknik, ndaj trajnerit i është ofruar një rrogë faraonike prej më shumë se 20 milionë eurosh në vit. Një shifër jashtëzakonisht e lartë për kampionatin italian ku më shumë paguhet vetëm Kristiano Ronaldo dhe asnjë lojtar tjetër nuk i afrohet kësaj shume.

Por trajneri i ka bërë të ditur se ka prioritet futbollin anglez dhe ndjehet mirë te Siti, duke bërë që Juventus të dorëzohet përfundimisht e të mendojë vetëm për të siguruar sa më parë firmën e Mauricio Sarrit, i cili ka mbetur opsioni i fundit. /vipsport.al/