“Faleminderit që na shënuat, firmosni me ne”, politika e çuditshme në merkaton e Superiores

Klubet e Kategorisë Superiore kanë nisur përgatitjet për sezonin e ardhshëm duke afruar futbollist të rinj të cilët mund të ndihmojnë në arritjen e objektivave. Tirana zyrtarizoi ditën e djeshme Elton Kalen dhe Agustin Torasën ndërkohë që priten edhe të tjera zyrtarizime. Sakaq, Kukësi ka zyrtarizuar deri më tani portieri Ilir Avdyli dhe mesfushorin Emiliano Musta.

E veçanta në këtë merkato, lidhet me historinë që futbollistët e transferuar kanë me skuadrat te të cilat kanë firmosur. Elton Kale arriti që këtë sezon të bënte një paraqitje mjaft të mirë në Vlorë duke gjetur edhe rrugën e rrjetës. Një nga golat, ai e shënoi pikërisht ndaj Tiranës në Kupën e Shqipërisë, megjithatë kjo nuk e ka penguar që të firmosë me bardheblutë.

Sakaq, edhe Emiliano Musta la shenjën e tij në ndeshjen ndaj Kukësit duke shënuar një supergol, gol ky që duket se i ka bindur drejtuesit verilindorë të firmosin me të. Një nga emrat që lakohet në merkato, është Uilliam Kordeiro te Partizani por ky i fundit nuk ka shënuar por ka asistuar për Rexhinaldon në golin e shënuar në barazimin 1-1.

Tirana synon që në këtë merkato të afrojë edhe sulmuesin shkodran Rubin Hebaj i cili sezonin e fundit luajti me Partizanin. Sulmuesi shkodran, arriti të vuloste një derbi duke përmbysur Tiranën me dy golat e tij në fitoren që Partizani mori 2-1. /Erjon Allaraj-VipSport.al/