Ekspertët që nuk luajnë në shtëpinë e tyre dhe shkëlqejnë në Europë, njihuni me kundërshtarin e Partizanit

Partizani ka njohur ditën e sotme kundërshtarin e turit të parë eliminator në Ligën e Kampionëve dhe përballë do të kenë azerët e Karabakut. Të kuqtë luajnë ndaj një kundërshtari mjaft të fortë në letër, i njohur në Shqipëri pasi sezonin e fundit eliminoi Kukësin nga Liga e Kampionëve.

Karabaku është një skuadër me histori të çuditshme në Azerbajxhan pasi nuk luan asnjëherë në qytetin e tij. Karabaku është skuadër e cila që nga lufta Nagorno-Karabak në vitin 1993, ndeshjet e saj i luan në Baku dhe është shpërngulur në Baku si skuadër duke u bërë edhe ekipi i parë jo kryeqytetas që fiton titullin kampion. Aktualisht numëron 7 tituj kampion dhe 6 Kupa ndërkohë që ka suksese edhe në Europë.

Në total, Karabaku ka luajtur 30 ndeshje në Ligën e Kampionëve ku ka fituar 11, ka barazuar në 11 të tjera dhe është mundur 8 herë. Në vitin 2017, Karabaku është bërë skuadra e parë azere që merr pjesë në grupet e Championsit, ku kishte një grup ferri me Romën, Arsenalin dhe Atletiko Madridin duke grumbulluar edhe 2 pikë.

Në historinë e Karabakut ka pasur edhe futbollistë shqiptarë madje në 10 futbollistët me më shumë paraqitje, dy prej tyre janë shqiptarë. Ansi Agolli mban vendin e katërt me 213 ndeshje duke shënuar 3 gola ndërkohë që Admir Teli renditet i shtati me 173 ndeshje dhe 8 gola. Trajner i Karabakut është Gurban Gurbanov i cili njëkohësisht është edhe trajner i Azerbajxhanit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/