Ekskluzive/ Batha flet si bardheblu: Ja si i fitoj zemrat e tifozëve të Tiranës, u riktheva në kryeqytet për titullin

Idriz Batha ka firmosur zyrtarisht me Tiranën dhe ditën e sotme është prezantuar si futbollisti më i ri i bardhebluve. I kontaktuar nga “VipSport.al”, Batha u shpreh se për të firmosur me Tiranën, e ka bindur projekti që klubi ka.

“Më bindi projekti që ka Tirana këtë vit dhe synimet që ka. Më pëlqen të jem në kryeqytet sepse më pëlqen të pretendoj për titullin kampion dhe të jem afër familjes”, tha fillimisht Batha.

Sakaq, një nga problemet është edhe lidhja me tifozerinë duke qenë se për vite me radhë ka luajtur me fanellën e Partizanit. I pyetur se si mund të fitojë zemrat e tifozëve, Batha shprehet se me shumë përkushtim mund t’i fitojë. “Unë nuk e di si mund te fitoj zemrat e tifozëve por di që do të jap më shume se maksimumin për të fituar me Tiranën. Për të fituar zemrat e tifozëve të Tiranës, do të jap maksimumin për ekipin tim dhe shpresoj të renditemi të parët në tabelën e klasifikimit”, shtoi mesfushori.

Tirana do të luajë edhe këtë sezon 4 ndeshje derbi në kampionat ku për Bathën do të jetë jo pak e veçantë pasi rikthehet si “ish” në derbi. Megjithatë, vetë gjirokastriti nuk ka shumë koment për derbin. “Sa për ndeshjen ndaj Partizanit, ka kohë deri atëherë”, u shpreh Batha. /Erjon Allaraj-VipSport.al/