Ekipi më në formë i Europës, Kosova lë pas gjgandët e kontinentit

Përfaqësuesja e Kosovës ka mundur sot 3-2 Bullgarinë duke u konfirmuar si skuadra më në formë në Europë. Kjo për faktin e thjeshtë se si askush tjetër në kontinent, ajo sapo ka regjistruar ndeshjen e 14 pa pësuar asnjë humbje.

Një seri mbresëlënëse e cila ka filluar në tetorin 2017, për t’u kurorëzuar sot me këtë sukses. Gjatë kësaj periudhe, ajo ka regjistruar vetëm 5 barazime, ndërsa pjesa tjetër janë të gjitha fitore. Për më tepër, Nuk duhet harruar se kaloi e pamposhtur gjatë kësaj serie edhe grupin e saj në Ligën e Kombeve, duke e mbyllur me një golavarazh +13.

Seria e 14 ndeshjeve pa humbje e rendit Kosovën si skuadra më në formë në Europë, duke lënë pas Portugalinë e Kristiano Ronaldos e cila regjistron “vetëm” 10 ndeshje pa u mposhtur. Më pas me radhë në kontinentin tonë vijnë Danimarka me 9, Gjermania me 5 dhe Spanja me 4 ndeshje pa humbje. /vipsport.al/