Edi Reja zbulon kërkesën për futbollistët: Nuk fitohet pa vuajtje

Shqipëria arriti të marrë një fitore të rëndësishme ndaj Moldavisë në shtëpi duke e mundur me rezultatin 2-0. Në përfundim të ndeshjes, Edi Reja u shpreh se pa vuajtje nuk mund të fitohet dhe se Shqipëria e humbi forcën sulmuese në pjesën e dytë, gjë e cila bëri që të vuante jo pak.

“Rënia e ekipit në pjesën e dytë? Nga volumi i lojës që kishim bërë, por pastaj ishim më të lodhur, nuk kishim forcën fizike për të kundërsulmuar pasi ata nga pikëpamja fizike dukej se ishin më mirë se ne. Por pa vuajtur nuk fitohet. Unë u kam thënë djemve se për të arritur rezultat duhet të vuash. Nga kjo pikëpamje sot vuajtën dhe në fund u vlerësuan.

Si u duk paraqitja në fazën mbrojtëse? Ata ishin të fortë në lojën në ajër dhe kishim frikë nga rivëniet anësore dhe goditjet e dënimit si me Islandën. Por më parë kjo skuadër ishte ajo që pësonte gol shumë shpejt dhe nuk kishte rregull në fazën mbrojtëse. Tani në dy ndeshje në 180 minuta, kemi pësuar një gjuajte në portë dhe një gol. Më duket se sot Berisha nuk ka prekur asnjëherë topin përveçse me këmbë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Islandë, nga kjo pikëpamje jemi përmirësuar. Por tani duhet të përmirësohemi nga mesfusha e lart se aty në Islandë më pëlqeu më shumë skuadra në pjesën e dytë, bëri më shumë lojë, ndoshta ishte më e freskët, më pak e lodhur. Kjo është aryeja pse kam ndryshuar 5 lojtarë sot, m’u përgjigjën mirë. Por përtej emrave të atyre që futen në lojë, duke e nisur nga pankina, nëse luajnë me këtë shpirt, atëherë është e qartë që ke avantazhe.

Sa Roshi hyri dhe bëri shumë mirë, Çikalleshi hyri dhe i dha fizik lojës duke vrapuar pas kujtdo dhe nuk e kisha parë kurrë të bënte një ndeshje si kjo. Edhe Qose që ka forcë fizike, ishte ai që na dha një dorë. Atëherë po përmirësohemi gradualisht por do të doja që skuadra të bënte më mirë nga pikëpamja e futbollit, jam i lumtur me rezultatin por shpresoj që pas këtij rezultati të luajmë më me qetësi, të hapur, duke u munduar të propozojmë filozofinë tonë të lojës. Kur ne jemi mirë fizikisht mund të bëjmë presing të lartë dhe të bëjmë diçka më shumë lojë në fazën sulmuese.

Ekipi duke luajtur me top të gjatë? Kur luan me top të gjatë është se nuk mundesh më, se nuk do të rrezikosh dhe nuk ke më forcën fizike dhe as qartësinë për të mbajtur topin. Atëherë nuk e rrezikon më pasimin se po të morën topin të kalojnë e të detyrojnë të vraposh 40 metra. Atëherë kërkohet zgjidhja me topin e gjatë, por kjo nuk vjen se më pëlqen pasimi i gjatë, unë nuk dua të luaj kështu, dua të luaj me top në tokë, por nuk është se mundesh gjithmonë pasi shpesh përballesh me skuadra që nuk ta lejojnë.

Grupi i lojtarëve? Kemi 26 djem, u kam thënë dua t’ju njoh, më tregoni se çfarë jeni në gjendje të bëni dhe do të aktivizoj atë që është më në formë. Jemi një grup, kemi punuar mirë këto 15 ditë, jam shumë i lumtur, kisha frikë se nuk do të bënim rezultat sot. Kjo punë duhet çuar para, por edhe duhet të konkretizohet. Sot me rezultatin uroj që të ketë pak më shumë qetësi dhe kënaqësi psikologjike sidomos. A e dini çfarë do të thotë të fitosh një ndeshje pas një periudhe mjaft negative? Pastaj kemi pësuar një humbje që nuk e meritonim me Islandën dhe ndoshta sot mund të shkonin gjërat keq. Atëherë kur bën këto ndeshje je gjithmonë i kushtëzuar, nuk je i lirshëm për të luajtur. Sot treguam shumë karakter, por nga pikëpamja e lojës kjo skuadër mund të bëjë më shumë.

Situata në grup? Të tjerët janë më të fortë aktualisht, Franca edhe pse u mund është e forte, Turqia është e fortë, Islanda tregoi se është e fortë. Ne rrimë të urtë dhe bëjmë punën tonë. Ndeshjet nuk janë kurrë të humbura që në fillim, duhet t’i luash njëherë, ndaj t’i luajmë njëherë dhe pastaj të flasim”, tha Reja. /VipSport.al/