Edhe Junajtid refuzon Interin për Ikardin, anglezët pranojnë vetëm para kesh për Lukakun

Interi i Antonio Kontes është i planifikuar që në majën e sulmit të jetë Romelu Lukaku. Tratativa ka nisur, ndërsa belgu ka shprehur hapur dëshirën për t’u transferuar në Milano, nën urdhrat e Kontes, të cilin e cilëson si trajnerin më të mirë në botë.

Megjithatë, është detyra e klubeve të gjejnë gjuhën e përbashkët për të mbyllur më pas transferimin. Interi kërkon të minimizojë sa më shumë shpenzimet, teksa i ka ofruar anglezëve një shkëmbim me sulmuesin Ikardi. Argjentinasi është shpallur i padëshiruar në kub dhe Marota ka menduar ta heqë qafe duke e dërguar te Junajtid.

Një plan i mirëmenduar, por Mançesteri nuk e preferon sulmuesin, i cili në fakt duhet thënë se përveç dëshirës së Juventusit nuk ka asnjë ofertë në duar. ‘Djajtë e Kuq’ janë treguar të vendosur, Lukaku largohet vetëm me kesh dhe jo me shkëmbim, ndërsa nuk i ulin pretendimet nën 80 milionë euro. Mbetet për t’u parë tashmë lëvizja e radhës nga Interi, pasi klubi kërkon t’i plotësojë dëshirat e trajnerit të ri.

/Egi Çabeli-VipSport.al/